Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryeministri Fatos Nano gjatë pasdites zhvilloi një miting në Laç. Për këtë bashki nga PS kandidon për të dytën herë Valentin Lleshi. Kryesocialisti Nano u kërkoi laçianëve që t’i japin shansin PS për të qeverisur.

Fatos Nano:- “Ne duam që socialistë e demokratë këtu në Laç, të gëzojnë mbrojtjen ligjore dhe shanset e përparimit dhe sipërmarrjes që ofron shoqëria jonë demokratike. Ne do të vazhdojmë të kemi vëmendjen maksimale, për të rikthyer në punë me kapacitet të plotë potencialet dhe industritë e Laçit, uzinën e Superfosfatit, gjithashtu që ka rëndësi të veçantë për tregun lokal të punësimit dhe për tregun kombëtar”.

Kryeministri Nano bëri një vizitë në Patok së bashku me kandidatin për kryetar bashkie në Laç. Për këtë zonë është paraqitur një projekt për zhvillimin e peshkimit. Shefi i qeverisë u ndal gjithashtu në kishën e Dorsit, për të uruar Don Mikelin për festën e Shën Mëhillit.

Xhiroja elektorale e kreut të mazhorancës ka vijuar në Krujë, për të kërkuar votat në 12 Tetor për kryetarin aktual të bashkisë Ismail Dani. Kryetari Fatos Nano, duke analizuar qeverisjen socialiste, me atë demokratike, deklaroi se në tre vitet e fundit në Krujë është investuar 110 herë më shumë se në 8 vjet qeverisje vendore të opozitës.

Fatos Nano:- “Kjo opozitë nuk është fat as për socialistët, as për Shqipërinë, sepse është një fatkeqësi që vonon progresin dhe ritmet e zhvillimit. Kjo është një arsye më shumë që më 12 Tetor, qytetarët e Krujës të votojnë Ismailin, ashtu si qytetarët e Fush Krujës të votojnë Baramin, të votoni të gjithë PS dhe forcat progresiste vendore”.

Në Fushë Krujë kryeministri Fatos Nano, kërkoi rikonfirmim të mandatit për kandidatin e PS për këtë bashki./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti