Është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë ceremonia për pranimin në Aleancën Atlantike të 7 (shtatë) vendeve evropiane të ish-Lindjes komuniste. Në ceremoni kanë marrë pjesë kryeministrat e vendeve të reja anëtare të NATO-s: Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia. Presidenti i Shteteve të Bashkuara i ka uruar atyre mirëseardhjen në aleancën më të madhe dhe më të suksesshme të historisë. Të ftuar ishin gjithashtu dhe krerët e qeverive të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Kryeminstri Fatos Nano ka ndjekur ceremoninë në “Kopshtin e Trëndafilave” të Shtëpisë së Bardhë si përfaqësues i njërit prej vendeve të cilat shumë shpejt do të bëhen antare të aleancës. Në ceremoni ka marrë pjesë dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Në një deklaratë të këtij këshilli thuhet se pjesëmarrja e tij nuk është kurrsesi mbështetje e ndonjë individi apo partie politike, por përkrahje për Shqipërinë. Këshilli kërkon që Shqipëria të luftojë korrupsionin i cili dobëson shpresën dhe grabit begatinë e shqiptarëve. Përmes kësaj deklarate ai thotë se Shqipëria duhet të shqyrtojë çështjet e ngritura në lidhje me kodin zgjedhor dhe bën thirrje për dialog mes pozitës dhe opozitës për çështjen e zgjedhjeve dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe forcimin e sistemit gjyqësor. /tvklan.al