Festa e 1 vjetorit të pavarësisë ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Atmosfera mbërtheu të gjitha qytetet me përjashtim të vendbanimeve serbe, në këto zona 17 shkurti ka qenë një ditë e zakonshme. Kuvendi paralel serb mbajti një seancë në Sveçan në veri të Kosovës ku morën pjesë edhe deputetë të parlamentit të Serbisë dhe ministri për Kosovën  Goran Bogdanovic.

Ata miratuan një deklaratat ku thuhet se Kosova si pjesë e kushtetutës serbe është pjesë e pandashme e Serbisë dhe hodhën poshtë të gjithë aktet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por zëvendës kryeministri kosovar Ramë Manaj i tha BBC, se deklarata serbe është e pabazë, e pakuptimtë dhe e pafuqishme.

Prishtina ishte mikpritësja e mijëra qytetarëve që erdhën nga të gjitha viset shqiptare për të festuar ditëlindjen e parë të shtetit më të ri të botës. Mesazhe urimi për 1 vjetorin e pavarësisë  së Kosovës erdhën nga personalitete të shumta botërore. Sekretarja amerikane e shtetit Hilary Klinton ka ftuar për një vizitë në departamentin e shtetit presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi për t’u riafirmuar të gjithë mbështetjen dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën. Vizita pritet të realizohet më 26 shkurt./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle