Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë vjedhur 400 milionë euro në Kosovë. Ky është paralajmërimi i një raporti të fshehtë të përpiluar mes dy grupeve të pavarura hetimore nga Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara të bëra publik nga gazeta gjermane Die Welt.

Sipas raportit paratë e vjedhura ishin të destinuara për sektorin e energjetikes. Por keqpërdorim dhe vjedhje janë bërë edhe me rastin e rindërtimit dhe investimeve në Aeroportin e Prishtinës.

Manipulimet janë bërë kryesisht gjatë shpalljes së tenderëve.  Autoriteti i BE kundër Korrupsionit dhe Mashtrimit, i përbërë edhe nga hetues të Kombeve të Bashkuara dhe Policia Financiare e Italisë ka gjetur 50 raste të dyshuara për korrupsion dhe mashtrim parash. Në 12 prej tyre janë hasur veprimtari kriminale, në 27 janë konstatuar parregullsi të procedurave dhe shkelje të rregullave të OKB. Një provë e fortë për këtë janë urdhër-arrestet për dhjetëra punonjës të OKB-së në Kosovë me akuzën e korrupsionit.

Die Velt thotë se për ndërtimin e Kosovës që nga viti 1999 taksapaguesit europianë kanë derdhur më shumë se 2.3 miliardë euro. Që përkthehet se BE ka investuar më shumë në Kosovë se në çdo vend tjetër. E sikur të mos mjaftonte kjo deri në vitin 2011, Brukseli do të derdhë edhe një miliard të tjera.

Që prej vitit 1999, Kosova ishte nën administrimin e OKB gjatë gjithë këtyre viteve thotë Die Velt keqpërdorimi  fondeve ka qenë i vazhdueshëm. Parlamenti Evropian ka reaguar ndaj këtij lajmi, duke kërkuar që fajtorët, të cilët tashmë bredhin të lirë dhe të pasur, të përgjigjen para drejtësisë për atë që kanë bërë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle