Ndërtimi i TEC-it të Vlorës do të përmirësojë gjendjen energjitike si dhe do të hapë vende pune për vlonjatët. Kështu u shpreh ministri i Ekonomisë Anastas Angjeli si dhe një ndër financuesit e këtij projekti presidenti i BERZH-it Jean Lamierre gjatë vizitës ku do të ndërtohet objekti më i rëndësishëm energjitik i kohëve të fundit termocentrali i Vlorës.

Anastas Angjeli: “Për këtë projekt për zonën energjitike të Vlorës, e cila tashmë nuk duhet konceptuar thjesht si zona energjitike vetëm e Vlorës, por e gjithë Shqipërisë dhe po të marrim në konsideratë gërshetimin e projekteve të tjera këtu të atij të AMBO-s apo të petroliferës duhet të mendojmë, sepse zona energjitike e Vlorës po shtrohet në një projekt rajonal shumë të rëndësishëm për problemet energjitike të vendit.”

Jean Lamierre: “Ky projekt adreson një çështje kyçe për Shqipërinë, atë të energjisë elektrike për përmirësimin e mirëqenies dhe për rritjen e punësimit, pa dyshim që mbështetet fuqimisht nga një sektor i frotë energjitik. Projekti i TEC-it të Vlorës është i një teknologjie të lartë dhe në kushte mjedisore të forta.”

Drejtori i KESH-it Harasani deklaroi se ky termocentral rrit me 10% kapacitetin energjitik në vend.

Andis Harasani: “Për herë të parë mbas 20 e ca vjetësh po ndërtohet një burim gjenerues për gjithë sistemin financiar dhe gjithë ekonominë shqiptare, tregon shembullin e parë të një kontrate të huaj e midis tre bankave kryesore në botë që janë sot: Bankës Botërore, BERZH-it dhe Bankës Evropiane të Investimeve. Është hera e parë që në Shqipëri një projekt kaq i madh mbi 100mln euro zbatohet me çelësa në dorë.”

Termocentrali i Vlorës kushton 105 mln dollarë dhe është financuar nga BERZH, BEI, Banka Botërore dhe KESH. Termocentrali pritet të përfundojë punimet brenda dy vitesh. Presidenti i BERZH-it, përfaqësuesi i një ndër bankave më të pranishme në investimet e huaja në vend vizitoi gjatë ditës së djeshme dhe Butrintin dhe Sarandën. /tvklan.al