Parlamenti i Finlandës miratoi një ligj që u jep rojeve kufitare fuqinë për të bllokuar azilkërkuesit që kalojnë nga Rusia, pasi më shumë se 1300 persona mbërritën në vend vitin e kaluar, duke detyruar Helsinkin të mbyllë kufirin.

Finlanda ka akuzuar Rusinë fqinje se po nxit shumë emigrantë nga vende të tilla si Siria dhe Somalia të kalojnë kufirin, një pohim që Kremlini e mohon. Helsinki beson se Moska po promovon kalimet në shenjë hakmarrjeje për anëtarësimin e Finlandës në NATO, e cila mbështet Ukrainën kundër pushtimit të Rusisë.

Qeveria e krahut të djathtë të kryeministrit Petteri Orpo ka thënë se ligji është jetik për të ndaluar ardhjet e ardhshme, pavarësisht se është në kundërshtim me angazhimet ndërkombëtare të Finlandës për të drejtat e njeriut.

“Ky është një mesazh i fortë për Rusinë, një mesazh i fortë për aleatët tanë, se Finlanda kujdeset për sigurinë e saj, ne kujdesemi për sigurinë e kufirit të BE-së”, tha Orpo.

Ai u bëri thirrje emigrantëve që po mendonin të vinin në Evropë përmes Rusisë, të mos nisnin udhëtimin.

Më shumë se 1,300 azilkërkues kaluan nga Rusia që nga vera e kaluar, por nuk janë regjistruar ardhje të reja nga marsi deri në Korrik. Finlanda mbylli kufijtë e saj tokësorë me Rusinë në fund të vitit të kaluar.

Lëvizja e Finlandës është e ngjashme me hapat e ndërmarra vitet e fundit në vende të tjera evropiane, përfshirë Poloninë dhe Lituaninë.

Klan News