Lajme Arkiva 2003

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i bën apel qeverisë që të ulë shpenzimet për administratën.  Kjo ka qenë vërejtja kryesore e misionit të FMN-së drejtuar qeverisë shqiptare gjatë vizitave të ditëve të fundit në raundin e tretë të bisedimeve për vitin 2003.

Qeveria duhet të kujdeset për të mbajtur në nivel të pranueshëm shpenzimet për administratën dhe për të siguruar që deficiti i brendshëm buxhetor të mos rritet jashtë parashikimeve.

Të njëjtën vërejtje bëri edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë prezantimit të buxhetit faktik të vitit të kaluar. Sipas kreut të KLSH-së shpenzimet administrative janë të tepërta dhe të palimituara.

Krerët e financave janë shprehur se janë optimist për rritjen e parashikuar ekonomike prej 6% dhe se fushata elektorale nuk ka patur ndikim në rritjen ekonomike dhe inflacionin.

Pritet që misioni i FMN-së të insistoj në debatimin në publik dhe miratimin në kohë të paletës fiskale dhe buxhetit të vitit 2004.

Kohët e fundit në prononcime por edhe në raporte të posaçme FMN-ja ka adresuar kritika të ashpra ndaj autoriteteve shqiptare për mungesë transparence dhe pengesë të organeve taksambledhëse ndaj biznesit./tvklan.al