Një qendër mjekësore kombëtare e zhvillimit të fëmijëve do të ndërtohet në Farkë.

Kjo qendër multidisiplinare diagnostikimi dhe rehabilitimi mundësohet nga Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë, presidentja e të cilit, zonja Liri Berisha, ishte e pranishme ne inaugurimin e punimeve së bashku me Ministren e Shëndetësisë, zonjën Anila Godo.

Liri Berisha: “Duke parë statistikat në rritje të autizmit, një sëmundje kjo jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën lind nevoja e një trajtimi e diagnostikimi të shpejtë, e një trajtimi sa më bashkëkohor kështu që një nga objektivat e fondacionit tonë ka qenë ngritja e kësaj qendre, e cila do jetë një qendër multifunksionale diagnostikuese, qendër kombëtare mjekësore e zhvillimit.”

Duke patur parasysh se në vendin tonë kemi rreth 75 mijë të sëmurë me paaftësi, 10% e të cilëve janë fëmijë, kjo qendër e re është mjaft e nevojshme. 

Ajo do të ofrojë praktikat më të mira të trajtimit shëndetësor dhe psiko-social për fëmijët me probleme të ndryshme shëndetësore dhe te zhvillimit.

Fondacioni i fëmijëve shqiptarë “Domenik Skalione”, zhvilloi edhe një konference ndërkombëtare në hotel Sheraton, me temë “Autizmi në Shqipëri: informimi dhe përgjegjësia publike”, ku fjalën përshëndetëse e mbajti presidentja e tij, zonja Berisha.

Liri Berisha: “Le të jetë kjo konferencë një dritë jeshile për ndërgjegjësimin e opinionit publik, të cilin në Shqipëri pak e njeh autizmin, pak e trajton atë dhe pothuajse aspak nuk flet për të”.

Në këtë konferencë, që synon të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe shtetëror mbi autizmin, morën pjesë personalitete të njohur në fushën e mjekësisë dhe analistë të ndryshëm./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini