Fraksionet politike palestineze Hamas dhe Fatah kanë nënshkruar një marrëveshje uniteti kombëtar që synon të ruajë kontrollin palestinez mbi Gazën pasi të përfundojë lufta e Izraelit në enklavë.

Marrëveshja, e finalizuar në Kinë pas tre ditësh bisedime intensive, hedh bazat për një qeveri të përkohshme të pajtimit kombëtar për të sunduar Gazën e pasluftës, tha ministri i jashtëm kinez Wang Yi. Ajo u nënshkrua nga rivalët afatgjatë Hamas dhe Fatah, si dhe 12 grupe të tjera palestineze.

“Ne nënshkruam një marrëveshje për unitetin kombëtar dhe themi se rruga për të përfunduar këtë rrugëtim është uniteti kombëtar”, tha zyrtari i lartë i Hamasit Mousa Abu Marzouk në një konferencë shtypi në Pekin.

Katër elementët kryesorë të saj janë krijimi i një qeverie të përkohshme të unitetit kombëtar, formimi i udhëheqjes së unifikuar palestineze përpara zgjedhjeve të ardhshme, zgjedhja e lirë e një Këshilli të ri Kombëtar Palestinez dhe një deklaratë e përgjithshme e unitetit përballë sulmeve të vazhdueshme izraelite.

 Lëvizja drejt një qeverie uniteti është veçanërisht e rëndësishme, sepse bllokon përpjekjet izraelite për të krijuar një lloj strukture bashkëpunuese kundër interesave palestineze. Kina, e cila ka kërkuar të luajë një rol ndërmjetësues në konflikt, më parë ka pritur Fatahun dhe Hamasin në prill.

Ndërkaq teksa ndodhet në Uashington kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u tha familjeve të pengjeve të mbajtura në Gaza se një marrëveshje që do të siguronte lirimin e tyre është afër. “Fatkeqësisht, nuk do të ndodhë menjëherë, do të ketë faza. Megjithatë, unë besoj se ne mund ta çojmë përpara marrëveshjen për të sjellë lirimin e tyre,” tha Netanyahu.

Përpjekjet për të arritur një armëpushim në luftën midis Izraelit dhe Hamasit, të përshkruara nga Biden në maj dhe të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari, kanë përparuar gjatë muajit të kaluar.

Në një armëpushim njëjavor në nëntor, 105 pengje u liruan në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë. Në enklavë në 24 orët e fundit të paktën 84 palestinezë janë vrarë dhe 329 janë plagosur në të gjithë Rripin e Gazës, ndërsa forcat izraelite kanë nisur një pushtim të ri tokësor në qytetin jugor Khan Younis.

Klan News