Një tjetër punonjës Policie është vënë në pranga nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Ai është Fatmir Balaj, 49-vjeç me detyrë specialist në kriminalistikë në sektorin e ekzaminimeve kompjuterike në Institutin e Policisë Shkencore.

Ndalimi i tij u bë pas masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Korçës. Kryekomisari akuzohet se ka fshehur, tjetërsuar dhe zëvendësuar pajisje kompjuterike të cilat do të shërbenin si provë kryesore shkencore në një çështje. Bëhet fjalë për hetimin që autoritetet ishin duke kryer për të dokumentuar me prova ligjore veprimtarinë e një subjekti penal nëpërmjet platformës “Forex”(Call Center). Ndaj efektivit janë ngritur akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe ekspertimit të rremë.

Të dielën u vu në pranga dhe Kastriot Palushi, oficer i krimeve pranë komisariatit nr.4 në Tiranë. Ai mori shumën prej 50 mijë Lekësh një qytetari për të tërhequr një kallëzim penal.

Bëhet fjalë për një rast ku janë konfliktuar dy qytetarë, dhe njëri prej tyre ka bërë kallëzim penal. 1 ditë pas kallëzimit qytetari është tërhequr dhe ka komunikuar me efektivin Palushi, por ky i fundit i ka thënë që nuk e heq dot pasi ka shpallur në kërkim personin tjetër.

Palushi i ka thënë qytetarit që do e zgjidhë vetë situatën, por pa hequr dorë nga denoncimi. Më pas ai ka dyshuar se oficeri kishte qëllim zhvatjen e parave dhe ka bërë kallëzim pranë AMP Tiranë. Këta të fundit përgatitën operacionin me stimulim përmes qytetarit të përfshirë në konflikt, një takim me 38-vjeçarin.

Gjatë bisedës, Palushi i ka kërkuar 50 mijë Lekë dhe menjëherë më pas kanë ndërhyrë agjentët e AMP dhe e kanë arrestuar në flagrancë. Ai ka tentuar të arratiset, por i janë vënë prangat në zonën e Surrelit.

Klan News