Lajme Arkiva – TV Klan 2001

U luajtën takimet e javës së parë të fazës së dytë, të vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Futbollit. Skuadra kampione mundi thellë 4-0 Skënderbeun e Korçës, ku Fortuzi shënuesi ynë më i mirë, realizoi 3 gola të tjerë, duke u ngjitur kështu në kuotën e 22 golave. Golin e katërt e shënoi për tiranasit, mesfushori hungarez Keneshei.

Por përmbysja e madhe ndodhi në Durrës në stadiumin “Niko Dovana”, ku Beslidhja e Lezhës mundi 2-1 Teutën vendase. Një fitore të tillë arriti edhe Vllaznia e Shkodrës, e cila mundi 1-0 në Gjirokastër skuadrën e Luftëtarit dhe Lushnja e cila mundi thellë në Kavajë Besën 3-0. Tomorri fiton 2-1 në Berat me Dinamon. Flamurtari-Bylis 1-1 dhe Shkumbini mundi thellë 3-0 Apoloninë. Tirana kryeson e vetme tashmë me 32 pikë./tvklan.al