Organizatorët e Rally Off Road: Aktivitete të tilla janë promovim për zonën e Dibrës

Për dy ditë me radhë në zonën e Lurës në Dibër, është organizuar aktiviteti më i madh i Rally Off Road.

Pjesë e tij ishin më shumë se 640 fuoristrada Off Road. Në këtë aktivitet kishte grupe të organizuara nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të zi.

Synimi i aktivitetit ishte promovimi i Lurës dhe gjithë Dibrës. Organizatorët ishin kujdesur që të mos dëmtonin mjedisin duke e rrethuar zonën. Pjesa më e madhe e mysafirëve ishin vendosur nëpër kampingje, por edhe në hotelet e Lurës dhe të Peshkopisë.

Pajtim Vraniçi: Meqënëse ishte rasti përse mos ta shfrytëzonim edhe këtë pjesën e promovimit të Lurës dhe të Dibrës.

Etland Hoxha: Është si qendër. Vjen nga veriu, nga Kosova. Mblidhen nga të gjitha anët. Kanë ardhur nga Pogradeci. Po vijnë nga Vlora, Tirana gjithashtu.”

Erjon Xharo: Një event i përmasave të tilla sigurisht që do një punë të jashtëzakonshme dhe ne që e organizojmë le të themi që kemi 3-4 ditë pa gjumë.

Në ditën e parë pjesëmarrësit me makinat e tyre dhanë shfaqje mbresëlënëse dhe me shume adrenalinë për të pranishmit e shumtë të cilët kishin ardhur për të parë spektaklin e makinave Off Road.

Për të shijuar këtë aktivitet ishin edhe qindra banorë të Lurës, nga qyteti i Peshkopisë dhe Bulqizës.

Nuk kishte si të mungonin të apasionuar pas Off Road të ardhur edhe nga Europa dhe Anglia vetëm për këtë event.

“Kam ardhur nga Italia për garën që organziohet sot edhe nesër në Lurë. Jam i apasionuar pas Off Road.”

“Kam ardhur prej Anglie, parmbrëmë direkt nga puna vetëm për të shijuar këtë ambient në Lurë dhe në Dibër.”

“Kemi ardhur dje këtu. Mbrëmë kemi qëndruar këtu dhe këmi bërë kamping. Kemi kaluar shumë mirë.”

Në ditën e dytë u zhvilluan gara me motorë dhe me makina. Garat ishin plot sfida dhe adrenalinë, kjo edhe për shkak të terrenit që ndodhet 1800 metra mbi nivelin e detit, në pllajën e bukur të Lurës. Në garë morën pjesë 25 motorristë dhe 60 fuoristrada Off Road.

Në fund u ndanë çmimet ku në garat me motorra vendin e parë e mori shqiptari i Kosovës Arbenit Beqiraj, çmimin e dytë Valon Zeqiraj dhe çmimin e tretë Erjus Tufa nga Tirana.

Në garat Rally Off Road, çmimin e parë e mori Ilmer Remiki nga Kosova, çmimin e dytë Xhavit Adili nga Tetova, dhe çmimin e tretë Roland Hoxha nga Dibra.

“Kam qenë edhe herë tjetër, por më shumë ka qenë një pjesë gare dhe nuk është se e kam shijuar si kësaj here.”

-Sa mjete keni ardhur nga Pogradeci?

“Mund të kemi ardhur rreth 40 mjete nga Pogradeci.”

“Për të kaluar një ditë të bukur. Është hera e dytë sepse kam ardhur edhe herë të tjera me fuoristradë.”

Evente të tilla pritet të kthehen në traditë për të promovuar sa më shumë bukuritë dhe natyrën e Dibrës.

Klan News