Menjëherë pas takimit dhe pas intervistës në VOA, Kryeministri Edi Rama pati një konferencë për shtyp për gazetarët, të cilët shoqërojnë delegacionin e tij në Shtetet e Bashkuara, aty ku ai ndodhet për një vizitë zyrtare.

Detajet se për çfarë ka folur kreu i qeverisë i dha gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, përmes një lidhjeje live me emisionin “Opinion”. Zotka ka raportuar se përveç çështjeve që i bëri publike vetë kryeministri gjatë intervistës për VOA-n, ka folur me Blinken edhe për mbrojtjen, e ekonominë. Po ashtu, siç raportoi gazetarja, Rama ka konfirmuar se Blinken ka dhënë mbështetjen 100% për Open Balkan.

“Përveç 3 çështjeve kryesore që u tha zyrtarisht që u diskutuan në takim, 100-vjetori, fakti që Shqipëria mikëpriti afganët, gjithashtu edhe për faktin që tani me SHBA jemi bashkëpenëmbajtës në të gjitha iniciativat që do të merren në Këshillin e Sigurimit për Ukrainën. Në konferencë për shtyp ishte e kundërta e asaj që u paraqit në VOA. Ishte edhe më i relaksuar, edhe më konçiz në gjërat që tregoi për takimin me Blinken. Sipas tij është folur për dy shtylla kryesore. E para sa i takon mbrojtjes dhe mbështetjes që SHBA do të kenë sa i takon sigurisë dhe mbrojtjes në vendin tonë, një sërë investimesh që janë bërë. Shtylla tjetër ishte ekonomia. Investimet sa i takon investimeve në ekonomi. Sipas Ramës është folur edhe për rajonin. Ai konfirmoi që Blinken ka dhënë mbështetjen 100% për Open Balkan. Këtë e tha zoti Rama gjatë konferencës për shtyp me ne”, tha Zotka.

Gazetarja është shprehur se Rama u pyet për shpalljen “non grata” të Berishës dhe ka thënë që për këtë çështje nuk ia ka vlejtur të shpenzojë asnjë minutë në takim. 

“Ripërsëriti që nuk ka asnjë meritë nëse mund të quhej kështu, apo nuk ka gisht fare në shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Berisha nga DASH”.

Gazetarja tha më tej se Rama nuk ka pranuar që të flasë për Presidentin Meta për aq kohë sa çështja e tij është ende në Gjykatën Kushtetuese. Sa i përket zgjedhjeve lokale më 6 Mars, Rama ka thënë që Basha nuk ka shanse të dalë nga ‘rutina e tij e humbjeve’./tvklan.al