Nënkryetari i komisionit të medias, Gëzim Karapici, ka akuzuar Partinë Socialiste se po bllokon projektligjin për transmetimet radiotelevizive.

Akuzat e tij i referohen kryetares së komisionit të medias, Leskaj, që sipas ligjvënësit demokrat ka një arsye, konfliktin e interesit.

Gëzim Karapici: “Si kryetare nuk i takon të dezinformojë opinionin publik lidhur me bllokimin e ligjit mbi transmetimet radiotelevizive dhe nuk mund të anashkalojë përgjegjësinë e saj për këtë. Unë mendoj që është edhe ajo pjesë e vonesës apo e mbajtjes peng të ligjit. Asnjë anëtare e mazhorancës në komision nuk ka konflikt interesi për plotësim standardesh të kërkuara nga televizioni, të cilën mund të garantoj që për palën tjetër ndoshta mund të ketë.”

Në një tjetër komunikim për median kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, foli me shqetësim për atë që e cilësoi disbalancim të kohës radiotelevizive që po iu bën subjekteve politike RTSH.

Leskaj iu referua raportit të KKRT-së sipas të cilit kryeministri dhe qeveria disponojnë disa herë më shumë kohë radiotelevizive sesa opozita e marrë së bashku./tvklan.al