Korporata Elektroenergjetike Shqiptare jep garanci për një furnizim të plotë me energji për vitin 2009.

Deklarata është bërë nga kreu i KESH-it, Gjergji Bojaxhi, gjatë një vizite në hidrocentralin e Vaut të Dejës.

Sipas tij përmirësimi i situatës hidrike dhe mirëmenaxhimi i burimeve të prodhimit të energjisë ka sjellë një situatë optimale në garantimin e saj.

Gjergj Bojaxhi: “Në kaskadën e Drinit ne kemi rreth 1.1 miliard kilovat/orë rezervë hidrike të konvertuar në energji elektrike dhe kjo rezervë ka një vlerë tregu, e cila mund të përdoret për të sjellë përfitime qoftë për KESH-in, qoftë për konsumatorët shqiptarë. Mund të themi me një siguri maksimale që ky vit do të jetë një vit me një furnizim të plotë me energji elektrike për të gjithë vendin”.

Kjo performancë e mirë si dhe rehabilitimi i rrjetit mund t’i lejoje korporatës eksportin e energjisë në sasi të konsiderueshme në çdo moment që ekziston kërkesa nga jashtë vendit.

Gjergj Bojaxhi: “Ne mendojmë që bilanci i prodhimit për këtë vit për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare dhe import-eksport do të jetë pozitive, dmth, ne do të interpretojmë, neve do të eksportojmë më shumë dhe do të importojmë më pak gjatë vitit 2009.”

Periudha 2007-2008 u karakterizua si një vit i vështirë në sigurimin dhe furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike.

Rritja e performancës së KESH-it erdhi pas aksioneve për penalizmin e abuzuesve me energjinë dhe i treguesve në rritje të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes që tashmë ndodhet në procesin e privatizimit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka