Një 54-vjeçar ky që po shihni në këto foto vrau në orët e para të mëngjesit me mjete të forta  bashkëshorten e tij, nënë e katër fëmijëve. Ngjara e rëndë ndodhi në fshatin Topullar të Gjirokastrës.

Xhelozia duket se ia ka errësuar gjykimin Halil Roshit, i cili e ka goditur me gurë në kokë gruan e tij Donikën, pas një grindje rreth orës 4 të mëngjesit. Ka ndodhur gjithçka ndërsa katër fëmijët e tyre ishin në gjumë.

Ata e kanë gjetur nënën e tyre të vrarë brenda në banesë. Autori i krimit  është larguar nga shtëpia pasi më parë kishte njoftuar policinë për krimin e kryer, por ai është arrestuar pas disa orësh gjatë një aksioni të policisë së Gjirokastrës, që nisi menjëherë pas marrjes së telefonatës që lajmëroi krimin në familje.

Ai u kap në një tunel të ish-repartit ushtarak të tankeve në fshatin Arshilenko, rreth 5km larg banesës së tij. Për policinë ai ka deklaruar se është penduar për krimin makabër, madje duke thënë se kishte pirë edhe fotoksinë për t’i dhënë fund jetës si ndëshkim ndaj vrasjes së gruas.

Për policinë tashmë gjithçka duket e qartë, por dosja hetimore në ngarkim të 54-vjeçarit duket se do të plotësohet pas një kontrolli mjekësor që do të vlerësojë aftësinë e tij mendore./tvklan.al

Gazetar: Njazi Sako