Gjykata e Apelit ka vendosur të lirojë presidentin e “Partizanit” Albert Xhani duke rrëzuar vendimin e Gjykatës së Faktit për masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

“Në bazë të nenit 249 pikat 6 të kodit të procedurës penale vendosi kundërshtimin e vendimit penal numër 530 duke caktuar ndaj të pandehurit Albert Xhani masën e sigurimit ‘detyrim paraqitje’ në Policinë Gjyqësore.”

Albert Xhani u arrestua dy javë më parë me akuzën ‘tjetërsim pasurie’, por kjo vepër penale ishte amnistuar në vitin ‘97. Gjithashtu gjykata e dy niveleve kishte dhënë vendim pro Xhanit në disa procese civile për shitblerjen e e atyre pasurive të cilat Xhani akuzohet se i ka tjetërsuar. Gjatë procedimit për tjetërsim pasurie prokuroira tërhoqi aktet duke deklaruar se ndaj Albert Xhanit do të hetohet dhe për veprën penale ‘shpërdorim detyre’, por kjo akuzë deri tani nuk është ngritur zyrtarisht duke mbetur në fazën hetimore pa shtuar të tjera prova në dosje. Pas lirimit nga “Burgu 313” presidenti i “Partizanit” ka deklaruar se ky ishte një vendim i drejtë i Gjykatës së Apelit.

Albert Xhani: “E vlerësoj si një vendim të drejtë, si një vlerësim i mbështetur në prova dhe fakte materiale që avokati i serviri Gykatës së Apelit dhe mendoj që në fund të fundit drejtësia e dha verdiktin e vet duke e zbatuar ligjin pikë për pikë.” /tvklan.al