Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila sapo ka nisur punë, pritet të shqyrtojë dosjen e tragjedisë së fundit të ndodhur në detin Jon. Sipas burimeve të kësaj gjykate, është ende herët që materialet e dosjes të kalojnë në duart e gjyqtarëve në Tiranë, pasi prokuroritë Vlorë e Shkodër janë në fazën e verifikimit dhe mbledhjes së provave përfshirë edhe dëshmitë e të mbijetuarve dhe familjarëve të viktimave. Policia, nga ana tjetër, ka konfirmuar se do të ketë arrestime të tjera të rrjetit të trafikantëve. Dy skafistët e arrestuar një ditë pas ngjarjes, Artur Rrokaj dhe Albert Alliu, akuzohen për vrasje e cila dënohet me 25 vjet heqje lirie apo burgim të përjetshëm, ndërkohë që ata po hetohen edhe për krijim të organizatës kriminale. Arrestimi i dy skafistëve u shoqërua me prangosjen e të afërmit të njërit prej tyre, nëndrejtori i Portit të Vlorës dhe shkarkimin e disa funksionarëve të policisë në Shkodër e Vlorë, që kanë lidhje familjare me të pandehurit. Disa persona janë shpallur në kërkim, ndërsa në mesnatë Policia e Shkodrës ndaloi njërin prej të kërkuarve për ngjarjen, ai është 45-vjeçari , Zamir Podgorica./tvklan.al