Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Firdeus Berberin dhënë më herët në mungesë, duke e lënë atë në qeli pa afat.

Ai u ekstradua disa ditë më parë nga Greqia për t’u përballur në Shqipëri me disa akuza si pjesë e grupit kriminal të drejtuar sipas SPAK, nga Laert Haxhiu. Prokuroria e Posaçme po e heton atë për dy episode kriminale të rrëfyera nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani, edhe ky një ish anëtar i të njëjtit grup.

Berberi dyshohet të jetë autor i një vjedhje me dhunë të një makine në Durrës në shkurt 2023, ku ka bashkëpunuar me Laert Haxhiun dhe Artan Tafanin, si dhe të kanosjes së dy punonjësve të policisë në zonën e Astirit në prill po të njëjtit vit.

Nga ana tjetër ndaj Firdeus Berberit rëndon edhe akuza e “vrasjes me dashje mbetur në tentativë”, pasi plagosi në 2022 Joan Muçllarin, djalin e një biznesmeni në Pogradec. Berberi u arrestua në Greqi bashkë me Laert Haxhiun në maj të 2023 në një kohë kur ky i fundit konsiderohej nga autoritetet shqiptare si një nga 5 më të kërkuarit në vend.

Tv Klan