Tre llogari bankare, 3 makina dhe disa aksione të një kompanie private u sekuestruan nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve që po kryen për ish-ministrin Ilir Beqaj dhe 5 të tjerë për abuzimet me fondet e SASPAC.

Llogaritë bankare të bllokuara kapin vlera në 15 mijë Euro, 42 mijë Dollarë dhe 14 milionë Lekë.

Referuar njoftimit zyrtarë të SPAK, ato iu përkasin Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj, Elton Marinit, Bledar Lekës, Gazment Haxhisë, Bjona Zijajt dhe kompanive private të tyre.

Gjithashtu SPAK sekuestroi edhe 19.4% të kuotave të shoqërisë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k. si dhe 3 makina në emër të personave nën hetim.

Në fillim të muajit Korrik, ish-ministri Ilir Beqaj, u arrestua me dyshimet se ishte përfshirë në korrupsion dhe fshehje të pasurisë gjatë kohës kur drejtonte agjencinë SASPAC, e cila koordinon fondet e Bashkimit Europian në vendin tonë.

Bashkë me të, nën hetim u morën edhe 6 persona të tjerë, 2 prej tyre të arrestuar, 4 në masa më të buta sigurie.

Beqaj gjithashtu është nën hetim dhe pret gjykimin për dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dhënien e koncensionit të sterilizimit në vitin 2015 në kushtet e konfliktit të interesit.

Tv Klan