Gjykata e Tiranës ka liruar në sallën e gjyqit ish-drejtorin e Policisë së Tiranës Pjerin Ndreu. Ndaj Ndreut Ministria e Rendit ka formuluar padinë ‘kanosje për shkak të detyrës’ dhe objekt kanë qenë disa mesazhe telefonike, që Ndreu i shkruante kreut të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm Samir Hasha, ku kërkohej të mos detyrohen policë të thjeshtë të flasin kundër tij. Megjithëse kjo akuzë konsiderohet kundravajtje penale dhe sanksionet për të janë nga gjobë deri disa muaj burg, arrestimi i Ndreut u bë i menjëhershëm dhe u cilësua flagrant nga policia. Gjyqtari Agim Bendo e ka shpallur arrestimin si të pa ligjshëm, ndërsa dosjen ia ka kthyer organit të akuzës për hetim duke urdhëruar lirimin e Ndreut në sallë.

Agim Bendo: “Për sa i përket çështjes së vlerësimit të arrestit në flagrancë të marrë ndaj këtij të pandehuri nga Policia Gjyqësore e Tiranës, gjykata e konstaton atë si një veprim procedurial të pabazuar në ligj dhe çmon se duhet urdhëruar lirimi i tij në sallën e gjyqit. Arrestimi në flagrancë mund të zbatohet nga Policia Gjyqësore vetëm për krimet, por jo edhe për kundravajtjen penale sikurse gabimisht është vepruar nga ajo në rastin konkret.”

Pas lirimit, ish-nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë, një nga oficerët më me karrierë në Policinë e Shtetit e ka cilësuar arrestimin e tij si pjesë e sulmit të hapur kundër oficerëve që goditën trafikun e skafeve dhe më pas e atyre që goditën klanet e drogës.

Pjerin Ndreu: “Ky është një precedent i rrezikshëm, jo pse kësaj here isha unë ai që u ndalua, por gjithë veprimet kanë një rrjedhë logjike, që nga denoncimi publik në muajin nëntor që unë i kam bërë krimit të organizuar shqiptar dhe suporteve të tij në politikë, menjëherë pastaj kanë qenë disa operacione të sukseshme të Drejtorisë së Tiranës në arrestimin e disa personave të disa ngjarjeve të rënda të Tiranës, në kapjen e një sasie mjaft të madhe droge për herë të parë në Tiranë dhe, menjëherë pas kësaj, më është krijuar një situatë nga e cila unë jam detyruar të jap dorëheqjen. Nëse reforma shkarkoi gjithë drejtuesit e operacionit antiskaf, ju a e dini se sot kjo reformë ka shkarkuar të gjithë drejtuesit e operacioneve antidrogë të muajit nëntor 2003-prill 2004 dhe shefin përkatës të drogave të forta në ministri.”

Ndreu dha dorëheqjen nga drejtor policie disa muaj pas ardhjes në postin e Ministrit të Rendit Igli Toska. Gjatë kësaj kohe Ministria e Rendit ka publikuar mjaft akuza të rënda ndaj tij, por prokuroria refuzoi të marrë të pandehur ish-kreun e Policisë së Tiranës. Vetë Pjerin Ndreu ka paditur më parë Ministrinë e Rendit për shpifje. /tvklan.al