Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin që njeh juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale mbi qytetarët shqiptarë. Sipas këtij vendimi nëse gjykata ndërkombëtare ka prova që fajësojnë shtetasit shqiptarë për krime të ndryshme penale ajo mund ti thërrasë ata të pandehur.

E veçanta është se të pandehur mund të merren edhe personat me imunitet duke filluar që nga Presidenti i Republikës.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale paraqitet në fakt si gjykata më e lartë lidhur me gjykimin e krimeve të lartë përmendura. Përderisa nuk është zhvilluar një gjykim penal dhe ky proces konsiderohet nul, i paqenë vihet në lëvizje Gjykata Ndërkombëtare Penale si një gjykatë më e lartë”.

Vendimi mbi kushtetueshmërinë e ratifikimit të statutit të Romës e rendit Shqipërinë përkrahë vendeve që janë bashkuar luftës kundër terrorizmit dhe bën një hap më përpara në plotësimin e standardeve për integrimin evropian.

Një nga shtetet ballkanike që nuk kanë pranuar juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale është edhe ish-Jugosllavia, ndërsa autoriteti i kësaj gjykate është kundërshtuar edhe nga SHBA, me argumentin se akuzat e mundshme ndaj ushtarëve amerikanë me misione ndërkombëtare mund të modifikohen politikisht./tvklan.al