Gazetarja: “Gjykata e Lartë ka vendosur sot të pranojë kërkesën e zonjës Xhoana Nano për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollë Lesi. Kolegji penal i kësaj gjykate ka vendosur të kërkojë nga Kuvendi i Shqipërisë autorizim për procedim të deputetit Nikollë Lesi për kundravajtje penale të fyerjes dhe shpifjes ndaj zonjës Nano.”

Bashkëshortja e kryeministrit kishte kërkuar nga Gjykata e Lartë që për deputetin Nikollë Lesi të kërkohej nga kuvendi heqja e imunitetit për të filluar më pas procedim penal për shpifje dhe ofendim publik. Avokatja e zonjës Nano, Evelina Qirjako ka paraqitur pranë kolegjit penal disa shkrime me autor Lesin dhe të tjera të botuara në gazetën e tij, të cilat, sipas paditëses, janë shpifje dhe ofeza ndaj figurës së saj. Në seancën e fundit edhe përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme Artur Selmani mbështeti pretendimet e avokates të zonjës Nano duke shprehur se ekzistojnë elemente të mundshme për fillimin e procedimit gjyqësor për kundravajtje penale.

Kështu Gjykata e Lartë do t’i kërkojë kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit Lesi për t’i lënë më pas gjyqësorit të vendosë nëse botuesi i gazetës “Koha Jonë” ka shpifur dhe fyer zonjën Nano. Kuvendi do të mbajë një seancë për shqyrtimine kësaj kërkese. Deputeti Lesi do të shprehet nesër në një konferencë për shtyp në lidhje me këtë vendim të kolegjit penal përr të cilin kanë ardhur dhe reagimet e para nga politika.

Skënder Gjinushi: “Nuk është momenti për heqje imunitetesh aq më tepër kur kemi të bëjmë me një marrëdhënie me median dhe ky do të jetë qëndrimi ynë.”

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Gramoz Ruçi shprehet se në mbledhjen e grupit parlamentar do të vendoset se si do të votohet për imunitetin e zotit Lesi. /tvklan.al