Lajme Arkiva 2003

Në seancën gjyqësore ndaj Arben Grorit dhe Agron Tresës në Gjykatën e Faktit Tiranë janë dëgjuar disa përgjime telefonike ku dy të pandehurit shprehnin shqetësimin se policia kishte rënë në gjurmët e tyre.

Përgjimet telefonike të bëra në Itali me kërkesë të prokurorisë italiane janë administruar dh epo shqyrtohen tashmë si prova materiale në procesin gjyqësor në gjykatën e rrethit.

Prokurorët e çështjes Bilbil Mete dhe Altin Dumani kanë lexuar tekstet e bisedave të zbardhura. Procesi në fjalë është ngritur për akuzat krijim grupi kriminal, trafik droge në bashkëpunim dhe të tjera vepra penale ndaj Grorit dhe të tjerë persona të cilët sipas akuzës kanë vepruar kryesisht në Itali.

Në biseda telefonike të dëgjuara gjatë seancës së fundit dy të pandehurit kanë përmendur dhe një borxh prej 210.000.000 liretash që u detyrohet një person i tretë.

Dy seanca më parë Grori u largua nga salla në shenjë proteste ndaj dëgjimit të telefonatave të përgjuara për të cilat pretendonte se nuk përbënin prova kundër tij./tvklan.al