Gjysmëfinalet e para të Kupës së Shqipërisë do të luhen të mërkurën. Skënderbeu do të presë Flamurtarin në Korçë. Korçarët janë ende të tronditur nga vendimi i UEFA-s për t’i përjashtuar nga kupat e Europës për 10 vjet, por trajneri Ilir Daja kërkon që të përqendrohen te fusha edhe pse nuk do të jetë e lehtë.

“Pas një dënimi të tillë, që është ekstrem nuk jemi në maksimumin e qetësisë psikologjike, duke menduar se çfarë do të bëhet me ekipin në të ardhmen. Ne duhet të përpiqemi të gjithë ta harrojmë dhe për tu përqendruar te kuadrati i fushës”

, u shpreh trajner i Skënderbeut,  Ilir Daja.

Probleme po kalon edhe Flamurtari që nuk fiton prej 1 muaji e gjysmë. Kjo ecuri ka ndikuar në renditjen e kampionatit dhe kupa vlerësohet si një tjetër mundësi për përfaqësimin në Europë.

“Është rruga më e shkurtër për në Europë, por edhe më e vështirë, pasi kemi dy ndeshje me skuadrën më të mirë të kampionatit Skënderbeun”

tha trajner i Flamurtarit, Shpëtim Duro.

Ndeshja Skënderbeu – Flamurtari do të nisë në orën 17:00 të mërkurën, ndërsa gjysmëfinalja tjetër Laçi – Kukësi në orën 14:00.

Tv Klan