Lajme Arkiva 2003

Gramoz Ruçi: Atëherë më lejoni të komunikoj me ju dhe nëpërmjet jush me publikun shqiptar se të dhënat e deri tanishme , në procesverbalet e qendrave të votimit rezulton se nga 65 bashki në shkallë vendi, përfundimisht 36 i ka fituar PS-ja, 23-PD-ja, katër partitë e tjera dhe dy bashki janë ende të papërfunduara, në numërim e sipër nën monitorimin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it. Nga 308 komuna në shkallë vendi 163 i ka fituar PS-ja, 90 PD-ja, 17 partitë e tjera dhe 40 të tjera janë ende të papërfunduara si rezultat i largësisë nga qendrat e rretheve. Pra siç shikohet e ashtuquajtura shumicë në Shqipëri e PD-së rezulton për fat të mirë të vendit dhe për fat të keq të lidershipit të Partisë Demokratike se është e kundërta. Unë nuk e kuptoj se si mund të jesh shumicë, kur nga 12 bashki, qendra prefekturash, PS-ja deri më tani ka fituar 8, si mund të jetë shumicë, kur PS-ja fiton Tiranën, fiton Durrësin, fiton Kukësin, fiton Lezhën, Beratin, fiton Fierin, fiton Vlorën dhe është në pritje të dy qendrave të tjera në përfundim. Si mund të jesh fitues dhe shumicë, kur nga 24 qendra rrethesh deri më tani bashki janë 14 të PS-së, si mund të jesh shumicë, kur nga 27 bashki të nivelit të 3 PS-ja ka fituar 16 dhe PD-ja 8.Të njëjtën gjë edhe për shifrat e komunave. Pra më pëlqen optimizmi i PD-së që matet me hijen e vetes, por rezultatet dhe faktet janë shumë kokëforta edhe se ne edhe se zoti Berisha.

Gazetarja: Zoti Ruçi ç’mund të na thoni për Bashkitë e Korçës, Shkodrës dhe Sarandës?

Gramoz Ruçi: Po Shkodrën e ka fituar Partia Demokratike, Sarandën e ka fituar Partia Demokratike. Korça është në përfundim e sipër, ende nuk ka rezultat për asnjë. Nga rezultatet paraprake ne jemi plus 100 vota, por nuk ka përfunduar procesi i votimit.

Gazetarja: Zoti Ruçi për Tv Klan, a mund ti krahasoni këto zgjedhje me zgjedhjet e kaluara lokale dhe si duket rezultati i këtyre zgjedhjeve paraprakisht?

Gramoz Ruçi: Rezultati mjaft pozitiv sipas të gjitha objektivave që ka pasur Partia Socialiste. Zgjedhjet e kaluara janë zhvilluar me dy raunde dhe në raundin e dytë është tërhequr Partia Demokratike, pra ne nuk kemi asnjë ulje nga rezultati i 2000-shit për zgjedhjet e pushtetit vendor.

Gazetarja: Si e shpjegoni pjesën e ndryshimit të gjeografisë politike, e kam fjalën për Sarandën dhe Delvinën dhe për Kukësin dhe Dibrën.

Gramoz Ruçi: Është tepër normale gjeografia që pyesni ju, duke qenë me një raund dhe duke ditur specifikën që ka Saranda apo Delvina si edhe problemet p.sh., po marr Delivinën që ish kryetarja jonë kandidonte si e pavarur, kështu që çau votat midis PS-së dhe vetes dhe kuptohet që fiton një i tretë. Marrëveshja e PD-së me PBDNJ-në ka qenë gjithandej, por rezultoi se me gjithë manipulimet që është gjendur një qendër votimi në Himarë, se pa atë qendër do të rezultonte fituese PS-ja ndaj aleancës historike PBDNJ me PD-në në Himarë dhe megjithëse PD-ja ka qenë në aleancë në Gjirokastër me PBDNJ-në, rezulton fituese PS-ja. Megjithëse PD-ja ka qenë në aleancë me PBDNJ-në në të gjitha komunat e Gjirokastrës, të Sarandës, ose të Delvinës, rezulton se qendrat ose bastionet edhe të PBDNJ-së siç është Dropulli i sipërm apo Dropulli i poshtëm apo siç është komuna e Lukovë në Sarandë rezulton se i ka fituar PS-ja.

Gazetarja: A do të ketë ndryshime në kabinet?

Gramoz Ruçi: Këto zgjedhje për fat të mirë nuk vendosin fatin e koalicionit  aleanca për shtetin dhe as ndryshimin e krahut qeverisës i shprehur nga zoti Berisha që rrëzoi qeverinë , ky votim konsolidoi qeverisjen e mazhorancës progresiste aleanca për shtetin.

Gazetarja: Zoti Ruçi keni ndonjë informacion se kur do të vijë kreu i mazhorancës?

Gramoz Ruçi: Kryetari i mazhorancës është në krye të detyrës.

Gazetarja: Që do të thotë se nuk është në selinë e Partisë Socialiste?

Gramoz Ruçi: Po sigurisht, ai ka detyrën e kryeministrit. Më duket se ka detyra funksionale apo jo.

Gazetarja: Po ndaj partisë?

Gramoz Ruçi: Në qoftë se ju keni ndonjë vërejtje për përmbushjen e detyrave nga bashkëpunëtorët e tij në parti do të vinte dhe do të harxhonte më shumë kohë me partinë. Ne jemi munduar ti lehtësojmë barrën e partisë atij që ai të mbajë mbi supe barrën e shtetit shqiptar.

Gazetarja: Atëherë do të thotë që nuk do të vijë?

Gramoz Ruçi: Atëherë nuk e di. Këtë nuk mund ta konfirmoj. Sigurisht që subjektet politike nuk kanë bërë ndonjë diferencë nga kandidatët dhe nesër do të kemi një komunikim me shtypin dhe me publikun për rezultatin e subjektit politik, por kuptohet se s’ka asgjë të vërtetë në ato që deklaroi zoti Berisha, që ka një rritje të Partisë Demokratike dhe një ulje të Partisë Socialiste.

Gazetarja: Ky është deklarimi juaj i fundit për sot?

Gramoz Ruçi: Të fundit vetëm pasi të vdes e kam, më duket sikur është data 13, kështu që e ke fjalën për dje? Për 12 po, për 13 jo.

Gazetari: Po zoti Rama?

Gramoz Ruçi: Zoti Rama është në pritje të përfundimit të numërimi në të gjitha qendrat e votimit./tvklan.al