Lajme Arkiva 2003

Shpallet lista zyrtare e anëtarëve të rinj të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste. Sekretari i Përgjithshëm i selisë rozë Gramoz Ruçi në përfundim të kongresit të 6 të kësaj partie ka dhënë një konferencë për shtyp ku ka paraqitur dhe emrat e anëtarëve të rinj të KPD-së.

Në këtë listë të bie në sy mungesa e socialistëve Ilir Meta, Dritan Prifti, Monika Kryemadhi, Spartak Braho dhe të tjerë emra të njohur si përkrahës të Metës. Ndërkohë që Edi Rama dhe Rexhep Meidani do të jenë pjesë e komitetit të ri drejtues.

Rama ka marrë 337 vota dhe Meidani 266 vota. Listën e anëtarëve të KPD-së të përzgjedhur nga delegatët e kongresit e kryeson Gramoz Ruçi me 424 vota, i cili pasohet nga Fatos Nano me 421 vota.

Ruçi nuk ka preferuar të bëjë komente për sa i përket ngeljes jashtë të Komitetit të Përgjithshëm drejtues të Metës dhe përkrahësve të tij.

Gramoz Ruçi: Nuk kam pse të paragjykoj, demokracia sot sistem i kulluar, por ky sistemi më i mirë i zgjedhur nga shoqëria njerëzore demokratike deri më sot, prandaj verdikti i kongresit e dha rezultatin e vetë. Ai duhet të pranohet si nga fituesit ashtu edhe nga humbësit dhe unë nuk kam se pse të paragjykoj asnjë veprim të kolegëve të familjes sime politike.

Gjithashtu Ruçi nuk ka bërë koment edhe për fatin e deputetëve socialistë që do të votojnë kundër emrave të rinj të kabinetit Nano.

Gramoz Ruçi:  Nuk e di unë deputetët nuk i dëgjoj nëpërmjet pyetjeve tuaja,  por i dëgjoj në rrugë institucionale në sallën e parlamentit kur të mblidhet grupi parlamentarë.

Ruçi ka njoftuar  se të mërkurën në mesditë do të mblidhet Komiteti i Përgjithshëm Drejtues ku do të zgjidhet kryesia dhe sekretarët e rinj të partisë./tvklan.al