Lajme Arkiva 2003

Greqia kërcënon sërish shtetin shqiptar me mbyllje të kufijve. Me pretekstin se vendi ynë është përfshirë ne vendet me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e sindromit të rëndë akutrespirator, autoritetet greke mund të kërkojnë deri edhe në masën më ekstreme të mbylljes së kufirit.

Pranë doganës greke të Kapshticës, zyrtarët pohojnë se kanë marrë një urdhër jo të shkruar për kontroll më të rreptësishëm të të gjithë shtetasve shqiptarë që kalojnë kufirin. Ata konfirmojnë se kanë disa informacione sipas të cilave Shqipëria identifikohet si vend me rrezikshmëri për përhapjen e SARS, por që në disa raste këto informacione janë kontradiktore.

Megjithatë urdhri për uljen e traut të kalimit të kufirit i bërë publik në disa media të shkruara greke është vendosur të jetë për në fundjavë, kohë kur në Greqi zhvillohen festimet e Pashkëve ortodokse.

Po në të njëjtën kohë fluksi i emigrantëve që kthehen në atdhe për festën e krishterë është i madh ndërkohë që mbyllja ose ndërprerja disa ditore e punës në sportelet greke rrezikon jetesën e tyre në Greqi.

Gjatë këtyre ditëve sipas burimeve zyrtare të doganës shqiptare të Kapshticës, fluksi i emigrantëve që kthehen është normal  ndërkohë që numri i emigrantëve që shkojnë për në Greqi mbetet i lartë.

Kjo për shkak të eksperiencës së hidhur të pushimeve të verës së kaluar ku autoritetet greke ndërprenë punën në sportele duke sjellë pengesa te shtetasit shqiptarë me banim si emigrant në Greqi.

Eva Paja: Një tjetër pretekst ka nxjerrë këtë herë në skenë autoritetet greke për të mbyllur kufirin me Shqipërinë. Prej ditësh mediat greke deklarojnë se kufiri me Shqipërinë mund të mbyllet për shkak të të prekurve me sindromin  e rëndë akut respirator, por burime shëndetësore shqiptare kanë deklaruar se të prekur me SARS nuk ka. Ndërsa burime doganore greke këtu në Kapshticë deklarojnë se mbyllja e kufirit mund të ndodhë gjatë festës së pashkëve kur edhe fluksi i qytetarëve është mjaft i madh midis dy vendeve./tvklan.al