Në Samitin e NATO-s në Stamboll në  fund të muajit qershor nuk do të ketë asnjë nënshkrim marrëveshje me Shqipërinë, për ta vendosur këtë vend në listën e vendeve kandidate për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Deklarata është e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Scheffer. Në takimin me anëtarët të shoqatës shqiptare të Atlantikut të Veriut, shefi i NATO-s i ka inkurajuar shqiptarët, por nuk ka pranuar të japë asnjë afat për kohën se kur Shqipëri mund të anëtarësohet në organizatën që ai drejton.

Scheffer deklaroi se anëtarësimi në NATO do të varet në radhë të parë nga Shqiptarët dhe kushtet mbeten të njëjta, realizimi i reformave, lufta ndaj korrupsioni, trafiqeve njerëzor  dhe vendosja e shtetit ligjor.

Jaap De Hoop Scheffer: “NATO nuk mund të japë afate, por ajo që ne vlerësojmë është angazhimi i përbashkët i tre vendeve të nismës së Adriatikut për të respektuar vlerat e kësaj  organizate. Është në duart tuaja të kapni momentin. Shoh si angazhime të rëndësishme luftë ndaj korrupsionit, ligjeve të  qenieve njerëzore, si dhe respektimin e shtetit të së drejtës dhe çfarë është tepër e rëndësishme  ju duhet te të realizoni reformat”.

Scheffer ju drejtua në veçanti gjeneratës së re të Shqipërisë me besimin se do të jenë ata liderët e së ardhmes  që do i shërbejnë Shqipërisë për integrimin e plotë në NATO duke folur për angazhimet e organizatës në rajon Scheffer kërkoi nga Tirana dhe Beogradi të ndikojë te liderët e provincës së  Kosovës, në mënyrë që të realizohen sa më parë standardet që kërkon  komuniteti ndërkombëtar.

Të njëjta mesazhe për realizimin e reformës të forcave të armatosura, luftën ndaj korrupsionit dhe trafiqeve ilegale, Scheffer-i paraqiti edhe në  takimet me kryeministrin Nano, ministrat Majko e Islami.

Kryeministri Fatos Nano do të paraqesë në Samitin e NATO-s në Stamboll planin e veprimit të  qeverisë shqiptare për anëtarësimin  në këtë organizat.

Fatos Nano: Ne mirëkuptuam arsyetimin dhe vlerësimin e sekretarit të përgjithshëm Shefer dhe samiti i Stambollit do të njoh këtë progres dhe këtë angazhim për zgjerimin e aleancës  në të ardhmen edhe me vendet tona./tvklan.al