Punonjësit e Parkut Urban të Udhëtarëve e kanë zhvendosur grevën e tyre në ditën e tetë të saj përpara Bashkisë së Tiranës. Grevistët kanë shpalosur edhe njëherë kërkesat e tyre, përmirësim të kushteve të punës, rritje të pagave dhe mosprivatizim të parkut. Gjatë protestës së tyre paqësore ata kanë kërkuar shkarkimin e drejtorit të parkut dhe drejtorit të transportit në bashki pasi, sipas tyre, kanë abuzuar me detyrën.
“Ne po denoncojmë hapur dhe jemi të gatshëm të ballafaqojemi me të gjitha organet e drjetsisë, për këtë korrupsion, për këto vjedhje skandaloze dhe unë u them juve që kur ta marrin vesh dhe bashkia dhe istucionet shtetrore jam i sigurtë që do na falnderojnë edhe ne.”
Pas protestës disaminutëshe të punonjësve të Parkut të Udhëtarëve ka reaguar dhe Bashkia e Tiranës. Nënkryetarja Mimi Kodheli ka deklaruar se greva është e paligjshme.
Mimi Kodheli: “Organizatorët që vazhdojnë ktë grevë të paligjshme janë të larguar nga puna dhe nuk janë më pjesë e stafit të Bashkisë së Tiranës. Stafi i bashkisë është mësur të gjejë metoda ligjore dhe qytetare për të realizuar të drejtat e veta.”
Në grevë prej tetë ditësh janë përfshirë pjesa dërrmuese e punonjësve të parkut gjë që ka shkaktuar probleme në lëvizjen e udhëtarve në linjat urbane Kombinat-Kinostudio dhe Tiranë e Re-Stacion i Trenit. /tvklan.al