Të mërkurën e shkuar (4 shtator), në programin “Rudina” në Tv Klan, gazetarja e Klan News Glidona Daci foli rreth rasteve më të fundit të kronikës së zezë. Në një nga pikat e bisedës, ajo u shpreh e revoltuar për një prej ngjarjeve (25-vjeçari që vrau 34-vjeçarin se i ngacmoi të dashurën), duke thënë se “gruaja nuk është pronë e jotja”.

“Të vrasëësh një njeri vetëm se të ngacmoi partneren në rrugë, për mua është skandaloze! Ky është kulmi, nuk ka kulm më të madh sesa kaq! Partnerin dhe partneren do ta ngacmojnë të gjithë, nuk është pronë e jotja! Nuk është pronë e jotja, e dashura, gruaja, e fejuara,  bashkëjetuesja, vëri çfarë emri të duash, nuk është pronë e jotja”, u shpreh gazetarja për ngjarjen.

Kjo  deklaratë e gazetares u bë virale në rrjetet sociale. Komentuesit shprehën një kundërshtim të hapur duke përdorur fjalë të pahijshme, fyerje, ofendime dhe duke rënë dakord me dhunën. Disa prej komenteve ishin:

“Ore çfarë thotë kjo, të ngacmon tjetri gruan dhe ti rri shikoje, ka ikur fare kjo”

“Gruaja vërtet nuk është pronë apo burri, por edhe kush të dojë t‘i ngacmojë sikur nuk shkon”.

“Jo moj s’është pronë e tij, është pronë publike”.

Nisur nga kjo, gazetarja Glidona Daci bëri një reagim në rrjetin e saj social ku rikonfirmoi fjalët e saj dhe shprehu keqardhjen për reagimin e komentuesve. Sot ajo u rikthye në studion e “Rudinës” për të folur më gjatë mbi dhunën në rrjetet sociale, nisur edhe nga përvoja e saj personale.

Glidona Daci: Në momentet e para fillova të kisha telefonata shqetësuese nga njerëz shumë të   afërt të mitë të cilët ishin alarmuar sepse kishin filluar të lexonin komentet. Unë kam një vëlla të mitur, 17 vjeç dhe një nga persoant kryesore që ishte shqetësuar më shumë për këtë lloj gjuhe, dhune, fjalë nga më vulgaret, nga më të ndyrat që mund të lexoje dhe kisha parë në jetën time, ishte pikërisht vëllai im i vogël. Ai u shqetësua shumë sepse normalisht edhe për shkak të moshës, e përjeton edhe më keq sesa pjesa tjetër e familjarëve të cilët janë edhe më të rritur sepse unë personalisht si Glidona që në momentin që e kam marrë parasysh për të qenë personazh publik, për të folur për ato tema që shumica e njerëzve nuk kanë guxim të flasin patjetër që kam marrë  përsipër edhe faktin që do të bullizohem, që do të fyhem, që do të shahem, që do të merren me intelektin, që do të merren me pamjen time, që do të merren  me familjarët  e mi, që do të merren me  jetën time personale, pra i kam marrë parasysh të gjitha. Në momentin që vëllai im u shqetësua shumë  për këtë gjënë, pashë komente edhe nga të afërm të  tjerë që “ore çfarë po ndodh, pse s’u thua atyre të Klanit që të heqin e të fshijnë komentet?” Aty thashë okej Glidona, erdhi momenti që ti të paktën në Instagram-in tënd personal  të bësh një sqarim. Unë vazhdoj t’u qëndroj pikë e  presje të gjitha fjalëve që kam thënë në atë video. Gruaja nuk është  pronë eburrit. Një vajzë dhe një grua është e aftë t’u kthejë përgjigje kujtdo, në çdo  lloj momenti, në çdo lloj situate të caktuar./tvklan.al