Në kuadër të operacionit policor të koduar “Double click” është vënë në pranga 35-vjeçari me iniciale A.H. Policia njofton se dyshohet që 35-vjeçari ka kanosur nëpërmjet celularit një 31-vjeçar me qëllim t’i merrte 40 mijë Euro.

Shumën e parave e kërkonte në këmbim të mospublikimit të komunikimeve personave që i kishte gjetur 31-vjeçarit në llogarinë që i kishte vjedhur në rrjetin social “Instagram”. Uniformat blu njoftojnë se 35-vjeçari u arrestua në flagrancë teksa merrte paratë nga 31-vjeçari.

Policia vijon të punojë për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar me 35-vjeçarin, për këtë rast. Janë sekuestruar 7 celularë, 2 disqe dhe 1 USB.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”./tvklan.al