Sistemi bankar në Shqipëri është i shëndetshëm, pavarësisht krizës që ka përfshirë tregjet financiare në mbarë botën. Garancinë e jep Ardian Fullani, guvernator i Bankës së Shqipërisë, i cili gjatë një konference për shtyp theksoi se bankat që operojnë në Shqipëri janë të sigurta, po ashtu dhe në depozitat e qytetarëve.

Ardian Fullani: “Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka arritur në përfundim, se sistemi bankar shqiptar është i sigurt, është i mirëkapitalizuar, është fitimprurës dhe likuid. Të gjithë treguesit e analizuar konfirmojnë për një gjendje të shëndetshëm, ndërkohë që asnjë prej bankave që operon në Shqipëri nuk ka investuar në asnjë lloj forme të aktive të intoksikuara, të cilat siç dihet kanë qenë një prej faktorëve kryesorë të situatës së rënduar financiare globale. Sistemi financiar në Shqipëri ka vijuar rritjen e tij të qëndrueshme gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2008.”

Megjithatë guvernatori paralajmëroi se nëse kriza globale do të përshkallëzohet, ekonomia shqiptare mund të ndjejë peshën e uljes së investimeve të huaja dhe të eksporteve.

Ardian Fullani: “Analizat e skenarëve të rrezikut konfirmojnë se sektori bankar është në gjendje të mirë për të përballuar rreziqe të ndryshme që mund të rrjedhin si rezultat i lëvizjeve të padëshiruara në kursin e këmbimit dhe në normën e interesit. Një krizë e zgjatur dhe e rënduar në qoftë se do të vazhdojë në ekonominë globale, do ketë kryesisht efektin e saj për sa i përket eksporteve tona, për sa i përket investimeve direkte.”

Në kushtet kur një sërë bankash amerikane dhe evropiane janë vënë para kolapsit qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian po marrin masa duke blerë kreditë e këqija dhe duke garantuar depozitat e bankave private, kjo në shenjë besimi për qytetarët. Në Shqipëri depozitat janë të garantuara deri në nivelin e 700 mijë lekëve, megjithatë nuk shihet e nevojshme që ky prag të rritet pasi sipas guvernatorit Fullani sistemi ynë bankar nuk është i infektuar dhe ka mjaftueshëm para në qarkullim.

Ardian Fullani: “Zgjerimi i krizës në tregjet ndërkombëtare financiare drejt Evropës ka bërë që të shtohet rreziku i ndikimit të sistemit financiar në vend. Megjithatë disa faktorë që janë përmendur në deklaratën e mëparshme, ku veprojnë nivelet relativisht të ulëta të ekspozimit të sistemit ton financiar ndaj institucioneve të huaja financiare, nivelin e ulët ët integrimit ën përgjithësi dhe mirë kapitalizmin e veprimtarisë së grupeve bankare evropiane dhe të filialeve të tyre që veprojnë në vendin tonë, do të shërbejnë si element mbrojtës për sistemin tonë financiar ndaj këtij rreziku.”

Megjithëse kriza nuk ka goditur Shqipërinë, guvernatori Fullani theksoi se Banka qendrore po monitoron me kujdes situatën për të garantuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar sidomos në drejtim të … së kredi dhënies. Nga ana tjetër ai shtoi se rritja ekonomike në nivelin 6% duket se do të përmbushet edhe gjatë vitit 2008, çka jep garanci për një ekonomi të shëndetshme dhe një sistem financiar të sigurt./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro