Brenda kësaj jave parlamenti do të miratojë projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009. Në mënyrë të detajuar kryeministri Berisha i ka njohur deputetët e grupit të tij parlamentar me të gjitha zërat e parashikuar në të ardhurat buxhetore të vitit të ardhshëm.

Kryeministri ka garantuar se ky buxhet, i cili është dhe më i madhi i hartuar ndonjëherë, garanton stabilitet ekonomik të vendit duke lënë të kuptohet se kriza botërore financiare nuk do të ndikojë në realizimin e tij.

Sali Berisha: “Në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar ne kemi programuar një buxhet që garanton në të gjitha rrethanat stabilitetin makroekonomik të vendit, deficitin e përcaktuar buxhetor, normën e parashikuar të inflacionit dhe rritjen e shpejtë ekonomike.”

Kryeministri tha se buxheti i vitit të ardhshëm garanton dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sali Berisha: “Të nderuar deputetë ky është buxheti i zgjedhjeve të lira. Në këtë buxhet janë parashikuar të gjitha fondet që qytetarët shqiptarë në këto zgjedhje në një sistem të ri dhe në një legjislacion të ri të votojë të lirë si qytetarët evropianë”.

Berisha ka ripërsëritur dhe njëherë se projektbuxheti i vitit 2009 mbështet fort politikat sociale të qeverisë, duke parashikuar rritjen në Maj të vitit të ardhshëm të të gjitha pagave dhe pensioneve.

Ndërkohë investimet publike kryesisht ato në infrastrukturë dhe sektorët e arsimit dhe shëndetësisë zënë peshën kryesore në buxhetin e vitit të fundit të mandatit të parë të kësaj maxhorance./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka