Fushata zgjedhore e Kamala Harris ka arritur që të thyejë një tjetër rekord të ri duke mbledhur 200 milionë Dollarë donacione dhe ka regjistruar 170 mijë vullnetarë të rinj në pak më shumë se një javë, që kur ajo u nisi fushatën për kandidate e Partisë Demokratike për 5 nëntorin.

Ekipi i Harris e shpalli shumën si një provë  të mëtejshme të mbështetjes së jashtëzakonshme për të në mesin e demokratëve. “Në javën që kur filluam, @KamalaHarris ka mbledhur 200 milionë Dollarë. 66% e tyre është nga donatorë të rinj,” postoi zëvendësmenaxheri i fushatës së Harris, Rob Flaherty, në X.

Sondazhet e javës së kaluar, duke përfshirë një nga Reuters/Ipsos, tregojnë se Harris dhe Trump janë në thelb të barabartë, duke krijuar terrenin për një fushatë të ashpër gjatë 100 ditëve të mbetura deri në zgjedhje. Harris ka siguruar mbështetjen nga shumica e delegatëve në Konventën Kombëtare Demokratike, dhe pritet të shpallet zyrtarisht kandidatja e partisë për presidente muajin e ardhshëm.

Sulmet republikane ndaj Harris janë intensifikuar në ditët që kur ajo u bë kandidatja e mundshme presidenciale e demokratëve. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis tha për Fox News se Harris është jashtëzakonisht e dobët për të fituar një garë kundrejt Donald Trump dhe u shpreh se fushata e demokratëve është e mbushur me gënjeshtra.

Disa aleatë të Trump, duke përfshirë disa anëtarë të koalicionit “Black Americans for Trump”  paralajmërojnë se sulmet ndaj Kamala Harris mund të dëmtojë ish-presidentin gjatë fushatës që ai mban me votuesit me ngjyrë.

Klan News