Në takimin me homologun boshnjak Elmedin Konakovic ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se Shqipëria është e gatshme për t’i ofruar Bosnje – Hercegovinës asistencë teknike për të ecur më shpejt në procesin e integrimit.

Sipas tij dhënia e statusit kandidat për Bosnje-Hercegovinën është një stimul i fuqishëm në rrugën e afrimit me BE. Hasani tha se integrimi në BE do të sjellë dinamikë pozitive për integrimin e rajonit tonë.

Igli Hasani: Procesi i integrimit europian, ishte një tjetër kapitull i rëndësishëm i bisedimeve tona. Shpresojmë se jemi brenda një dinamike pozitive të integrimit të vendeve tona në Bashkimin Europian. Shqipëria vlerëson dhe mbështet përpjekjet e Bosnjë-Hercegovinës dhe hapat e hedhur në këtë drejtim, të cilat së fundi kanë dhënë rezultat konkret në procesin e integrimit të Bosnjë-Hercegovinës. Statusi i vendit kandidat dhe vendimi dhe rekomandimi i Komisionit për çeljen e negociatave, është jo vetëm një stimul i fuqishëm, por edhe konfirmim i patjetërsueshëm në rrugën e afrimit me Bashkimin Europian. I shpreha kolegut Konaković vullnetin dhe gatishmërinë për të mbështetur edhe më tej avancimin e Bosnjë-Hercegovinës në rrugën e saj drejt BE-së përmes shkëmbimit të përvojës dhe asistencës teknike.

Hasani theksoi se integrimi ekonomik rajonal sjell përfitime të prekshme për shtetet ballkanike ndaj kërkoi një rivlerёsim të qëndrimit të B&H ndaj Kosovës që të lehtësohen shkëmbimet ndërnjerëzore.

Shqipëria mbështet tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Bosnjes ndërkohë që ishte bashkë-sponsorizuese e rezolutës së OKB që dënonte gjenocidin në Srebrenicë.

Klan News