Rreth 300 kilogram pluhur hidromat është hedhur në liqenin e Tiranës duke shkaktuar ndotje në rreth 70% të sipërfaqes së tij.

Brunilda Cami: “Sipas specialistëve boja hidromat e hedhur në liqenin artificial të Tiranës ka dëmtuar një pjesë të mirë të gjallesave të këtij liqeni. Prej katër ditësh gjendja e liqenit është kjo që po shikoni.”

Edhe pse boja nuk ka dhënë efekt të menjëhershëm, mungesa e oksigjenit në ujin e liqenit do të çojë drejt ngordhjes të tjera gjallesa.

Gjergj Ndoja: “Një lëndë pigmentuese me ngjyrë me origjinë organike duke qëndruar në ujë, duke pakësuar sasinë e oksigjenit në ujë, duke mos lënë peshqit të thithin një ujë të oksigjenuar peshqit detyrimisht në mungesë të oksigjenit do të ngordhin, jo nga helmet, por nga mungesa e oksigjenit.”

Ndotja e liqenit ka mbledhur në vendngjarje specialistë të shëndetësisë si dhe përfaqësues të bashkisë së Tiranës, të cilët nuk kanë nguruar ta përdorin këtë katastrofë politikisht, duke ja hedhur fajin njëri – tjetrit.

Eduard Shalsi: “Kjo që shihni është një tjetër arsye se pse në datën 28 Qershor ky pushtet i shkatërrimit dhe i ndotjes duhet të ndryshojë. Ky pushtet që nuk ka asnjë kontroll mbi territorin, ky pushet që ka përgjegjësinë që këto kodra të cilat i shndërroi në pallate, të cilat derdhin ujërat e zeza mbi liqen. I kërkojmë prokurorisë që menjëherë të hetojë dhe të gjejë përgjegjësit e kësaj masakre ekologjike.”

Mhill Gecaj: “Bashkia e Tiranës dhe pushteti vendor e kanë për detyrë ta monitorojnë 24 orë si një institucion i rëndësisë së veçantë ose si një vepër e rëndësisë së veçantë dhe sa të merren me takime elektorale pranë liqenit ma mirë të merren me problematika të cilat kanë të bëjnë me mbështetjen e qytetarëve”.

Specialistët e shëndetësisë po vijojnë me analizat për të përcaktuar saktë shkallën e ndotjes, ndërsa do të jetë prokuroria ajo qe do të merret me hetimet për gjetjen e shkaktarëve të kësaj ndotje./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami