23 mijë qytetarë do të përzgjedhin mes dy kandidatëve, Vangjel Tavo dhe Petro Gjikuria

Ditën e sotme banorët e Himarës do të zgjedhin kryebashkiakun e ri. Mbi 19 mije 766 qytetarë të Himarës po votojnë për të zgjedhur mes dy kandidatëve, Vangjel Tavo i socialistëve dhe Petro Gjikuria i opozitës. 36 qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00. Deri më tani nuk raportohet për problematika serioze gjatë procesit të votimit.

Komisioni qendror i zgjedhjeve raporton se nga 19 mije 766  zgjedhës të regjistruar deri në orën 10.00 kanë votuar 2 mijë e 358. Pra deri më tani kanë votuar rreth 12% e zgjedhësve

Në Himarë po aplikohet identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit janë të monitoruara me kamera. Pas mbylljes së votimit në orën 19.00 pritet të nisë edhe numërimi i votave.

Zgjedhjet e sotme pritet të zgjidhin ngërçin e gjatë për drejtimin e Bashkisë së Himarës. Gara për kryebashkiakun e Himarës ka qenë gjithmonë e fortë dhe me rezultat të ngushtë. Në zgjedhjet e 14 majit të vitit 2023 fituesi u caktua nga një grusht votash. Kështu në zgjedhjet e kaluara votuan gjithsej 7821 persona, ku kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri mori 3840 vota, vetëm 19 vota më shumë se rivali socialist Jorgo Goro që mori 3821 vota.

Zgjedhjet në Bashkinë e Himarës po zhvillohen pasi kryetari i zgjedhur Fredi Beleri u dënua me 2 vite burg nga Apeli i GJKKO për korrupsion zgjedhor. Beleri nuk e ushtroi detyrën asnjë ditë pasi u arrestua më 12 maj të 2023, dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme vendore dhe nuk u lejua nga gjykatat që të bënte betimin si kryebashkiak.

Në këto 15 muaj ka vijuar një betejë e gjatë ligjore dhe politike, pasi edhe kryetari në detyrë Jorgo Goro u arrestua më 23 mars të këtij viti për tjetërsimin e pronave në Himarë. Me dy kryetarë në burg kjo bashki bregdetare u drejtua fillimisht nga nënkryetarja Blerina Bala, e cila më pas u dorëhoq dhe aktualisht drejtohet nga Arqile Bollano.