Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar sot brenda vitit Kosova do të arrijë të liberalizojë vizat. Nga një tubim që ka zhvilluar në Dragash, Hoti u shpreh se do ta mbështesë këtë komunë nëse arrin të fitojë zgjedhjet në 14 Shkurt.

“Do të përmbyllim këtë vit liberalizimin e vizave, jam i bindur. Ne jemi duke punuar me vendet e BE-së me qeveritë e tyre duke i bindur që ne jemi ata që e fuqizojmë ligjin, ata që e luftojnë korrupsionin. Jemi njerëz që kemi vizion të qartë, njerëz që i nënshtrohemi vetëm ligjit dhe kushtetutës.

Me besimin në Zot, pa ndërtuar kule, pa iu nënshtruar individit por duke iu nënshtruar ligjit, kushtetutës dhe vizionit kah duhet të shkojë ky vend. Jam i privilegjuar që i prijë një liste të jashtëzakonshme të burrave dhe grave në listë”, tha Hoti.

Më tej ka sulmuar kundërshtarët duke thënë se nuk kanë plan dhe gjënë që dinë të bëjnë është të sulmojnë atë. Po ashtu ai njoftoi dhe nisjen e misione paqeruajtëse dhe shtoi se nëse nuk do ishte ai në qeveri kjo gjë nuk do të ndodhte./tvklan.al