67 raste të reja, 14 persona në terapi intensive

Situata e koronavirusit në vendin tonë po vjen duke u rënduar. Dy pacientë, një 90-vjeçar nga Tirana dhe një 34-vjeçare nga Librazhdi kanë ndërruar jetë në shërbimin infektiv duke e çuar në 48 totalin e jetëve të humbura.

“Vuante nga insuficenca renale kronike, diabeti, hipertensioni, e konfirmuar me Covid-19, e shtruar në shërbimin infektiv prej disa ditësh, në gjendje të rëndë dhe e intubuar”.

Veç fataliteteve në rritje ka ardhur edhe numri i personave në terapi intensive.

“Vijon të ketë sërish shtrime të reja në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 82 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive”.

Në rritje kanë ardhur edhe rastet e reja të infektuara me koronavirus në 24 orët e fundit, të cilat janë të shtrira thuajse në të gjithë vendin.

“Janë konfirmuar 67 raste pozitive. Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Kruja me 18 raste, kemi 16 të prekur në Tiranë, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje, dhe nga 1 rast përkatësisht në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë.  Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja”.

22 persona, mes tyre 7 mjekë dhe infermierë janë shëruar duke e çuar në 1217 totalin e personave që e kanë fituar betejën me koronavirsusin. 850 persona janë ende aktivë me COVID-19, dhe potencial për të infektuar të tjetër nëse nuk izolohen dhe respektojnë rregullat.

Tv Klan