Ndalohen 4 të rinjtë të dyshuar si autorë të krimit ku mbeti i vrarë Aurelio Dervishi

Ky është 18-vjeçari Aurelio Dervishi, i cili u vra pas një konflikti mbrëmjen e së dielës në rrethrrotullimin e Shkozës në Tiranë.

I riu u godit me thikë, pas përplasjes mes një dy grupeve të rinjsh, që dyshohet se ka nisur për shkak të një vajze. Dervishi ndërroi jetë rrugës për në spital për shkak të një plage në gjoks.

Për ngjarjen policia ka ndaluar 4 të rinj, 3 prej të cilëve në moshë të mitur, të dyshuar si autorë të vrasjes me thikë të 18-vjeçarit.

Sipas burimeve policore vajza për të cilën ka nisur sherri ka qenë në makinë me viktimën, kur të rinjtë kanë nisur fillimisht të debatojnë me grupin që ndodhej në një makinë tjetër. Të gjithë kanë dalë më pas jashtë dhe mes të rinjve ka nisur një përplasje fizike ku nuk kanë munguar thikat.

Rezulton se Aureljo Dervishi ishte lidhur pak kohë me parë më vajzën që u bë objekt konflikti që i mori jetën, e cila ndërkohë më herët ka pasur marrëdhënie sentimentale me njërin prej 4 djemve që lëviznin me makinën “Volkswagen Tiguan”.

Pasi kanë goditur 18-vjeçarin, autorët janë larguar me një automjet tip Volksvagen, por më pas janë gjetur në zonën e Farkës nga uniformat blu. Të ndaluar janë Frensis Shehu 20 vjeç dhe 3 të mitur të moshave 15 dhe 16 vjeç.

Nga hetimet e policisë, njëri prej 3 të miturve rezulton të jetë autor i vrasjes së 18-vjeçarit Aureljo Dervishi mbrëmjen e së dielës në Tiranë. Policia tashmë e ka sqaruar dinamikën e ngjarjes, ndërsa vetë i mituri ka pranuar se ka pasur thikë me vete. Burime pranë policisë bëjnë me dije se është çështje orësh që të katërve t’u pritet fletë arresti.

Klan News