Në redaksinë e emisionit “Stop” në Tv Klan kanë ardhur ankesa nga pacientë të Spitalit Onkologjik, të cilët thonë se nuk funksionon dera e bunkerit të akseleratorit linear, aparaturë kjo që u shërben të sëmurëve me tumor.

Një qytetare, që ka shtuar vëllain thotë se ky i fundit bëri dy javë rreze e më pas nuk i ndoqi dot për mungesën e një dere.

Qytetarja: Unë kam shtruar vëllanë këtu tek Onkologjiku, bëj rreze dhe kimio. Javën e parë dhe të dytën i nisa mirë. Kam javën e tretë dhe kjo është java e katërt që 2 rreze kam bërë dhe çfarë? Neglizhenca e tyre është për një derë që nuk e rregullojnë dhe janë pezulluar të gjitha rrezet. Por rrezet me kimion shkojnë automatikisht bashkë për efektshmëri. Asnjë s’po i jep zgjidhje një dere.

Të njejtën situatë referon edhe një qytetar nga Fieri.

Qytetari: U rregullua ajo dera e radioterapisë?

Punonjësja: Nuk e di fare që s’punon.

Qytetari: Po kë të pyes?

Punonjësja: Pyet njëherë Gretën, koordinatoren.

Koordinatorja: Do të pyesësh nga krahu tjetër.

Më pas, stafi i Spitalit Onkologjik ka njoftuar se dera është riparuar. Nga ana tjetër, “Stopit” nuk iu lejua që verifikohet një gjë e tillë.

Një tjetër denoncim ka të bëjë me aparaturën e shintigrafisë kockore që shërben për të përcaktuar shkallën e sëmundjes tek pacientët me zemër, tiroide, veshka dhe tumore të ndryshme. Por prej Janarit 2024, kjo aparaturë është jashtë funksionit dhe pacientët nuk kanë informacion.

Qytetari: Interesohem për shintigrafinë.

Koordinatorja: Nuk ka filluar akoma.

Qytetari: Por kur fillon?

Koordinatorja: A e ke lënë ti letrën aty?

Qytetari: Po, e kam letrën dhe me vete.

Koordinatorja: S’është rregulluar akoma, jo se kanë harruar. Kur të fillojnë, do ju marrin vetë në telefon.

Qytetari: Ka ndonjë problem?

Koordinatorja: Po, është një difekt vërtet.

Mjekja: Kemi që në Janar zotëri që nuk po punojmë.

Një mjeke deklaron se aparatura mund të jetë djegur, ndoshta tek ai zjarri i famshëm që ka rënë? Por një tjetër version që deklarojnë mjekët është se mungon lënda radioaktive pas shkëputjes së marrëveshjes së Ministrisë së Shëndetsisë me Agjensinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Drejtoria e QSUT-së shprehet se ka nisur procedura e prokurimit për lëndët që kërkohen. Është në proces lidhja e kontratës së furnizimit.

Nga ana tjetër, pacientët trajtohen nga Shërbimi i Endokrinologjisë me terapi hormonale frenuese që mban në kontroll nivelin hormonal për një periudhë 3-mujore. Lënda radioaktive do të sigurohet për pacientët brenda 10-15 ditësh.

/tvklan.al