Armando Broja e ka shfrytëzuar mungesën me kombëtaren shqiptare për tu prezantuar tek Everton. 22-vjeçari është tashmë pjesë e skuadrës së Premier League angleze që e huazoi nga Chelsea në ditën e fundit të merkatos së kësaj vere.
Me përvojën e fituar me skuadra të ndryshme në Angli, sulmuesi shqiptar është gati për të bindur me gola drejtuesit e Everton.
Armando Broja, futbollist i Everton:Ndihem shumë i lumtur që jam këtu dhe mezi pres të filloj të luaj. Everton është një ekip i fortë, me lojtarë të rinj dhe me përvojë. Është një atmosferë fantastike për mua të luaj me një klub si ky. Ndoshta fillimi i sezonit nuk ka shkuar ashtu siç dëshironim, por jam duke u fokusuar vetëm në rikthimin dhe integrimin me ekipin. Dua të lë përshtypje edhe te tifozët, duke shënuar gola, duke krijuar raste, duke qenë agresiv si sulmues dhe duke ndihmuar skuadrën në çdo mënyrë që mundem.
Broja është një futbollist i dalë nga akademia e Chelsea, ndërsa debutoi me londinezët pikërisht kundër Everton në marsin e vitit 2020 në moshën 18-vjeçare. Huazimi te Vitese rezultoi si trampolinë për tu njohur me talentin e Brojës, por sezonet e fundit nuk kanë qenë të mira për shkak edhe të dëmtimeve.
Klan News