Lionel Messi, i cili vitin e kaluar fitoi Topin e Artë, mungon mes 30 kandidatëve për të fituar këtë çmim për vitin 2024. Organizatorët e trofeut më të rëndësishëm individual në botë nuk e përfshinë argjentinasin që në karrierë mban rekordin e 8 Topave të Artë, i pari i fituar në 2009.

Por kësaj gare i mungon edhe rivali i tij, konkurrenca mes të cilëve ka dominuar botën e futbollit prej me shumë se dy dekadash. Bëhet fjalë pikërisht për portugezin Kristiano Ronaldo, i cili e ka fituar 5 herë këtë trofe.

Ronaldo fitoi këtë çmim për herë të parë në vitin 2008 për ta kthyer Topin e Artë në një garë të përhershme mes argjentinasit dhe portugezit.

Kjo është hera e parë që këto dy yje të futbollit botëror nuk nominohen për këtë trofe që nga viti 2003. Mungesa e tyre paralajmëron edhe fundin e një epoke me Messin tashmë 37 vjeç dhe Ronaldon 39 vjeç. Lista e re e propozuar për Topin e Artë përmban emra talentesh të rinj të futbollit botëror.

Aty janë disa spanjollë kampionë të Europës, përfshirë Lamine Jamal. 17-vjeçari është kandidati më i ri në moshë në historinë e këtij çmimi të lakmuar. Mes tyre është edhe lojtari me origjinë shqiptare, Granit Xhaka që po shkëlqen me gjermanët e Leverkusen.

Kandidatë për ta fituar janë Erling Haland dhe Kilian Mbape, të cilët u renditën pas Lionel Messi në edicionin e kaluar. Fituesi do të shpallet më 28 Tetor ku nuk do të mungojnë edhe çmime të tjerë.

Tv Klan