Dy persona janë proceduar penalisht në Vlorë pasi dogjën sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme, në fshatrat Delisuf dhe Gjorm.

“Dogjën me zjarr sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme dhe ullinj, në fshatrat Delisuf dhe Gjorm, identifikohen dhe procedohen penalisht 2 shtetas. Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Komisariati i Policisë Vlorë dhe Stacioni i Policisë Selenicë, u bë zbardhja e dy rasteve të zjarrvënieve në fshatrat Delisuf dhe Gjorm. Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit A. L. dhe Sh. L.

Shtetasi A. L. dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Delisuf, ka djegur me zjarr një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme, që e kishte marrë me qira, duke rrezikuar edhe parcelat në afërsi, në pronësi të shtetasve të tjerë.

Shtetasi Sh. L. dyshohet se ditën e djeshme, në fshatin Gjorm, ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e oborrit të banesës së tij, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme dhe ullinj, në pronësi të një shtetasi tjetër.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.  Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë banorët, dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 për çdo rast zjarrvënieje apo të paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore”, thotë Policia./tvklan.al