Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë në Velipojë, ku një sasi tritoli shpërtheu në taracën e një bar-restoranti. Forcat e rendit kanë arrestuar një prej autorëve të dyshuar të vendosjes së lëndës eksploziv, Erison Gjekën. Gjithashtu ka identifikuar bashkëpunëtorin në këtë krim, i cili është shpallur në kërkim.

Policia ka publikuar dhe pamjet, ku i riu është i veshur me rroba të zeza dhe mban një maskë në kokë, pak moment para se të vendos tritolin.

28-vjeçari banues në Shkodër është person me precedent të theksuar kriminal në fushat e krimeve kundër personit dhe pronës.

Mbi të rëndojnë 2 akuza: “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Rrjollë në datën 30 korrik. Nga shpërthimi dëmet janë të konsiderueshme.

Ndërtesa është në pronësi të shtetasit Kristan Preka, i cili deklaroi në polici se nuk ka konflikte. Shkak i vendosjes se eksplozivit në lokalin e dhënë me qira, mund të jetë bërë konkurrenca.

Klan News