Kamerat e sigurisë dhe provat materiale në vendngjarje ndihmuan policinë në zbardhjen e vrasjes së 42-vjeçarit, Egli Proga në Pogradec, ngjarje e cila fillimisht u raportua si aksidentale.

Një prej pamjeve të administruara nga grupi hetimor është dhe kjo video e fiksuar nga një kamera në afërsi të vendit të ngjarjes. Në të shfaqet viktima pak minuta përpara se të dhunohej.

Ngjarja u regjistrua në ambjentet e një bar kafeje në lagjen nr.1, ku viktima pas një konflikti për motive të dobëta, u dhunua nga 29-vjeçari, Denis Meçe. Plagët e shkaktuara i kushtuan jetën 42 vjeçarit, që sapo kishte dal nga puna.

Motra e tij, tregon për mediat si u njoh me lajmin, teksa shton se i vëllai i saj ishte një njeri i qetë dhe familjar.

“Më ka marrë djali tezes në telefon dhe më tha urgjent në spital. Dallohej qartazi që ishte dhunuar, por nuk thuhej nga askush që ishte i dhunuar. Egli ishte njeriu më i butë, më i dashur, e donin të gjithë, ishte familjar, ishte në punën e tij. Sa ka mbyllur punën, ishte në qejf, nuk e di çka ndodhur. E kanë kthyer, e kanë provokuar, dhe më pas e kanë vrarë. Është vrasje në bashkëpunim, s’është vetëm një njeri.”

Lidhur me këtë ngjarje, krahas autorit janë vënë në pranga dhe 3 persona të tjerë, të cilët kanë qenë dëshmitarë në atë ngjarje por nuk kanë kallëzuar në polici.

Sa i takon veprimeve të kryera nga uniformat blu të cilët fillimisht e raportuan ngjarjen si aksidentale, e më pas si vrasje, kryepolici, Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar një hetim të procedurave të ndjekura për zbardhjen e saj.

Tv Klan