7 vendime sekuestro për kompanitë dhe pasuritë e zyrtarëve

“Milionat e lekëve janë kryefjala e dosjes së inceneratorëve. Çdo shkelje e ligjit është përkthyer në fitime të paligjshme dhe me qëllim rikuperimin dhe bllokimin nga tjetërsimi, me kërkesë të SPAK deri më tani janë dhënë 7 vendime sekuestro për kompanitë dhe pasuri të zyrtarëve”.

3 kompanitë, “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, “Albtek Energy” dhe “Integrated Technology Services”, kjo e fundit me dy vendime, janë sekuestruar më herët nga Prokuroria e Posaçme dhe aktualisht janë në menaxhimin e shtetit.

Ato janë në pronësi të Klodian Zotos dhe Stela Gugallës dhe sipas vendimeve të sekuestrimit janë subjektet që përfitonin kapitalin përfundimtarë nga skema mashtruese me faturat fiktive.

Gjithsesi, edhe pse në administrimin e shtetit, këto kompani vijojnë të paguhen për kontratat koncensionare për dy inceneratorët.

3 vendime të tjera sekuestrosh lidhen me pasuritë e ish-Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetit socialist, Alqi Bllako.

Kokës iu sekuestruan fillimisht aksionet në kantinën e verës dhe më pas 4 njësi biznesi në objektin “Pistë në det”, që sipas SPAK kanë vlerën e mbi 146 milionë lekëve, aq sa rezulton të ketë marr edhe në formë ryshfeti për koncensionet e inceneratorëve.

Ish-deputetit Alqi Bllako iu bllokua një apartament në pronësi të babait që po ashtu kap vlerën e mbi 14 milionëve, sa rezulton edhe ryshfeti i marr sipas Prokurorisë.

Bashkë me Kokën e Bllakon, në hetim pasuror për inceneratorët janë edhe 15 persona të tjerë të implikuar në aferën korruptive.

Tv Klan