Pas incidenteve të rënda që ka shoqëruar procesin e votimit në Maqedoni, i menjëhershëm ka qenë dhe mesazhi që presidenti shqiptar Bamir Topi i ka drejtuar klasës politike.

Mimoza Koçiu: “Presidenti i republikës së Shqipërisë i bën thirrje të gjitha subjekteve politike në Maqedoni, që të distancohen jo vetëm me fjalë e deklarata nga incidentet dhe dhuna zgjedhore.”

Zëdhënësja e presidentit ka njoftuar shtypin për një deklaratë urgjentem vetëm pak minuta pas lajmet se një person është vrarë dhe 7 të tjerë janë plagosur.

Mimoza Koçiu: “Dita e sotme është shumë e rëndësishme jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, për vetë Maqedoninë, por edhe për të ardhmen e Kosovës dhe të të gjithë rajonit. Roli moderator i faktorit shqiptar në rajon dhe partneriteti i tij me aleatët ndërkombëtar nuk mund të komprometohen nga akte të rënda të dhunës që po shoqërojnë këto zgjedhje. Demokracia dhe euroatlantizmi shqiptar nuk kanë asgjë të përbashkët me dhunën që përdoret për të manipuluar vullnetin e lirë të zgjedhësve.”

Presidenti Bamir Topi shprehu shqetësimin për situatën e krijuar në Maqedoni, duke i konsideruar këto zgjedhje si një tjetër mundësi për shqiptarët e Maqedonisë./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani