Shtohen dyshimet mbi versionin e Ministrisë së Rendit për incidentin në Lazarat, pas deklarimeve dhe shpjegimeve që dhanë ekspertët e saj ditën e mërkurë. Ata pohuan që, jo vetëm nuk është qëlluar nga helikopteri, por edhe se dera e mjetit fluturues ka qenë e mbyllur gjatë gjithë misionit mbi fshatin Lazarat. Nga pamjet filmike duket qartë se dera e helikopterit ka qenë e hapur dhe në mes të saj dallohet një prej pjesëtarëve të misionit.

Dyshimet për shpjegimet e Ministrisë së Rendit shtohen dhe për faktin se versionet e saj kanë ndryshuar nga dita në ditë. Kështu në fillim u tha se helikopteri kthehej nga Saranda për në Tiranë dhe nuk kishte lidhje me Lazaratin, pastaj u pranua se kishte si mision vëzhgimin e parcelave me bimë narkotike në këtë fshat. Për më tepër Ministria e Rendit është e paragjykuar kur ajo shkel ligjin duke ndërhyrë në një çështje që tashmë i takon organeve të drejtësisë ta hetojnë.

Të gjitha këto anë të errëta apo shpjegimet naive për mospërputhjen mes zhurmës dhe imazhit apo edhe mosndërhyrja në fshatin problematik krijojnë idenë se Ministria e Rendit kërkon të fshehë diçka, të fshehë paafatësinë e saj ose shpjegimin se a u lejohet forcave të armatosura italiane,në rastin më të mirë, të patrullojnë mbi territoret shqiptare, dhe, në rastin më të keq, të hapin dhe zjarr. /tvklan.al